Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar për të shtatën ditë radhazi aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste ndaj mos-thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Aksionit të PDK-së edhe sot i janë bashkuar deputetë të Aleancës, ndërsa në protestë kanë marrë pjesë edhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Lipjanit.
Ish-deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, tha se partia do të vazhdojë të kundërshtojë veprimet e Albin Kurtit, duke paralajmëruar se zemërimi qytetar do të rritet nëse situata vazhdon.
“Na edhe sot jemi këtu për të shprehur fuqishëm kundërshtimin tonë ndaj veprimeve të deputetit Albin Kurti, i cili me vetëdije të plotë është duke shkelur Kushtetutën, rendin juridik të vendit tonë, kryekëput për interesat e tij, për egon e tij dhe për qëllimet e tij tashmë personale, sepse është më se e qartë se gjithçka është e dirigjuar nga ai.
Ne i bëjmë thirrje që sa më shpejt të ndryshojë këtë qëndrim, sepse në këtë formë, nëse vazhdohet edhe më tutje, zemërimi i qytetarëve do të rritet dhe për pasojat, përgjegjësitë do t’i bartë ai në ditët në vazhdim”, tha Demaku.