Ky është punonjësi që vdiq pas incidentit në KEK

Sindikata e punëtorëve të KEK’ut njoftoi për vdekjen e një punëtori në vendin e punës.

Në njoftim thuhet se i ndjeri është Haxhi (Selatin) Gojnovci, i lindur më 23 prill 1967 në Lismir të Fushë Kosovës, shkruan Insajderi.

I ndjeri, sipas sindikatës, teksa po lëvizte në zonën e ekskavatorit, pësoi aksident të rëndë. Ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

“Haxhi (Selatin) Gojnovci ishte pjesë e KEK-ut që nga data 15.11.1985 dhe, për më shumë se katër dekada, dha një kontribut të çmuar profesional në Korporatë. Ai do të kujtohet me respekt për përkushtimin, përgjegjësinë, korrektësinë dhe sjelljen e tij shembullore në punë, si dhe për raportet e mira kolegiale që ndërtoi ndër vite”, thuhet në postimin e sindikatës.

Sindikata u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të të ndjerit. /Insajderi.org/

Leave a Comment