Kundërshtohet ndërtimi i një kishe në Vushtrri, qytetarë paralajmërojnë protestë e bllokim rrugësh

Planet për ndërtimin e një objekti fetar në fshatin Zagorë të Vushtrrisë kanë nxitur reagime nga banorët e disa fshatrave të kësaj zone, të cilët kanë paralajmëruar protestë për të martën, më 18 gusht.
Sipas njoftimit, banorë nga Dumnica e Epërme, Dumnica e Poshtme, Dumnica e Llugës, Zagora dhe Samadrexha pritet të protestojnë nga ora 08:30, duke kundërshtuar pretendimet për ndërtimin e një objekti të Kishës Katolike në Zagorë.
Organizatorët kanë bërë të ditur se për protestën është njoftuar edhe Policia e Kosovës, ndërsa është paralajmëruar bllokimi i rrugëve në Samadrexhë dhe në fshatrat e Dumnicës.
Banorët kundërshtojnë gjithashtu ndërhyrjet eventuale për hapjen dhe rregullimin e rrugës që çon drejt parcelës ku pretendohet se është planifikuar ndërtimi. Sipas tyre, projekti ka prapavijë politike dhe ideologjike, pretendime këto për të cilat deri më tani nuk është dhënë një qëndrim nga institucionet kompetente. Mbetet të shihet nëse institucionet do të reagojnë para 18 gushtit lidhur me paralajmërimin për protestë dhe bllokimin e rrugëve në këtë pjesë të komunës së Vushtrrisë.

Leave a Comment