Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë Rajonale të Gjilanit, ka konfirmuar për media se sonte, rreth orës 21:45, policia ka pranuar një informatë përmes telefonit se në rrugën “Lufta e Gjilanit 44” në Gjilan ka ndodhur një detonim në një veturë.
Sipas tij, nga hetimet e para dyshohet se vetura është dëmtuar nga një mjet shpërthyes.
Hashani bëri të ditur se në veturë ndodheshin dy persona, vozitësi dhe një pasagjere.
“Me këtë rast, vozitësi ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar me urgjencë në spital. Ndërsa pasagjerja është e lënduar lehtë”, tha Hashani.
Lidhur me rastin, ai shtoi se në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë policore, si dhe prokurori kujdestar i shtetit.
“Për momentin nuk dihen motivet e këtij rasti të rëndë”, deklaroi Hashani.