Lushtaku pas vizitës në Zubin Potok: Arrestimet e serbëve për krime lufte duhet të vazhdojnë

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, pas vizitës në Zubin Potok, ku po dyshohet për gjetjen e një varreze masive, ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në identifikimin dhe gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.

Lushtaku tha se gjetja e të zhdukurve ka rëndësi të madhe për familjet e tyre dhe për gjithë Kosovën, duke theksuar se për familjarët është e rëndësishme që të kenë mundësi të vendosin lule pranë varreve të të dashurve të tyre.

“Dua ta falenderoj policinë e Kosovës edhe gjithë ata që e kanë bërë të mundur që të gjinden edhe këta të zhdukur, sepse ka shumë rëndësi për familjet, rrethin edhe për Kosovën natyrisht. Sa është e vështirë dhe e rëndë është edhe një ditë sidomos për familjet, çlirimi sepse në fund të fundit kanë mundësi që të shkojnë të vendosin një tufë lule pranë varrezave të tyre”, tha ai.

I pyetur për arrestimin e dy personave lidhur me këtë rast, Lushtaku tha se procesi duhet të vazhdojë në mënyrë profesionale, ndërsa theksoi se arrestimet për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë duhet të vazhdojnë.

“Mendoj se këtu tani varet edhe mënyra e punës, profesionalizmi i tyre, për mua është tepër pozitive që janë gjendur një pjesë e tyre. Unë nuk pres nga Serbia që të rreh shuplaka për arrestimin e atyre që kanë bërë krime në këtë vend. Arrestime duhet me vazhdu me ndodh, ka shumë serbë që janë të lirë e krimet janë tepër të mëdha në Kosovë e sidomos në komunën tonë”, tha ai.

Leave a Comment