Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekretuar Zejnullah Gashin në postin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.
Dekretimi vjen vetëm një ditë pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në mbledhjen e tij të 298-të të mbajtur të hënën, e nominoi Zejnullah Gashin për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe ia përcolli emrin Albulena Haxhiut për dekretim, raporton Betimi për Drejtësi.
Në garë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit ishin pesë kandidatë: Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi.
Pas zhvillimit të intervistave më 1 korrik 2026, Paneli Vlerësues publikoi rezultatet përfundimtare. Zejnullah Gashi u rendit i pari me 91.6 pikë, i ndjekur nga Atdhe Dema me 89.3 pikë, Naim Abazi me 89 pikë, Rafet Halimi me 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu me 86.3 pikë.
KPK-ja ka publikuar gjithashtu edhe intervistat e të pesë kandidatëve që morën pjesë në procesin e përzgjedhjes.
Gjatë këtij procesi, kandidati Atdhe Dema kishte paraqitur ankesë ndaj vlerësimit të tij, por Këshilli Prokurorial i Kosovës e refuzoi atë në mbledhjen e mbajtur më 10 korrik 2026.
Më herët, më 19 qershor 2026, KPK-ja kishte miratuar me gjashtë vota për dhe një kundër kandidaturat e pesë garuesve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Vendimi për hapjen e konkursit për këtë pozitë ishte marrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës më 18 maj 2026.
Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, kishte ngritur padi në Gjykatën Administrative, duke kërkuar vendosjen e masës së sigurisë për pezullimin e konkursit të shpallur nga KPK-ja. Megjithatë, Gjykata Administrative e refuzoi kërkesën e tij, vendim i cili më pas u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit.