Aksion i madh ndaj këmbimoreve dhe bizneseve të kriptovalutave, mbyllen 6 subjekte dhe gjobiten 6 të tjera

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka nisur një aksion të gjerë inspektimesh ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve.

Sipas njoftimit të ministrisë, inspektimet janë zhvilluar gjatë ditës së sotme në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës, Prizrenit, Podujevës, Rahovecit dhe Suharekës, me qëllim të verifikimit të përmbushjes së kërkesave ligjore për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Gjatë ditës së parë të aksionit janë inspektuar gjithsej 16 biznese. Prej tyre, ndaj gjashtë subjekteve është shqiptuar masa e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë, për shkak të mungesës së dokumentacionit të detyrueshëm, kryesisht mungesës së pëlqimit për përmbushjen e kushteve minimale teknike.

Po ashtu, edhe gjashtë biznese të tjera janë gjobitur për mungesë të dokumentacionit të kërkuar me ligj.

MINT bën të ditur se aksioni është pjesë e planit operacional të IQMT-së, në kuadër të të cilit do të inspektohen mbi 268 biznese të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), të cilat kanë të regjistruar kodin për ndërmjetësime të tjera monetare.

Ministria u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që ushtrojnë këtë veprimtari të sigurojnë përmbushjen e të gjitha kërkesave ligjore, duke aplikuar për pëlqimin e kushteve minimale teknike në MINT dhe duke u pajisur me licencën përkatëse nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Sipas ministrisë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do ta vazhdojë aksionin deri në përfundimin e plotë të planit operacional, me synim garantimin e zbatimit të ligjit, mbrojtjen e interesit publik dhe krijimin e një tregu të rregulluar, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.

Leave a Comment