E akuzon për krime lufte, Selmani tregon si Serbia ia arrestoi babanë: Dy ditë nuk kemi ditur asgjë

Ministria e Brendshme e Serbisë ka njoftuar arrestimin e Osman Selmanit, të cilin e akuzon për përfshirje siç thotë “në një rast vrasjeje të kryer gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999”.

Djali i Osmanit, Arben Selmani, ka konfirmuar arrestimin e tij, duke deklaruar se ai është ndaluar më 1 korrik 2026 në pikën kufitare të Mutivodës, teksa po kthehej nga vendlindja e tij.

“Si familje jemi të brengosur shumë. Prindi është arrestuar më 1 korrik 2026 në pikën kufitare në Motivot. Në ora 17:00 është ndaluar dhe ka qëndruar rreth katër orë aty pa marrë sqarim. Më pas ka ardhur një patrullë nga Medvegja, e kanë marrë dhe e kanë dërguar në Leskovc, pastaj në Beograd. Për dy ditë nuk kemi pasur asnjë informacion”, ka deklaruar ai.

Ai shton se familja është njoftuar më vonë nga një avokat i caktuar nga autoritetet serbe, i cili u ka bërë të ditur edhe akuzat.

“Dje në ora 3:30 na ka lajmëruar një avokat që ja ka caktuar qeveria e Serbisë për ta përfaqësuar, ai na ka treguar gjendjen e tij se ku ndodhur dhe për çka akuzohet”, ka thënë Selmani.

Sipas tij, pretendimet se Selmani ka marrë pjesë në vrasje në Sofali në qershor 1999 janë të pavërteta, duke theksuar se familja në atë periudhë nuk ndodhej fare në Kosovë.

“Ne nga fundi i marsit të vitit 1999 kemi qenë në Maqedoni si refugjatë dhe këtë mund ta dëshmojmë me dokumente të NATO-s, OSBE-së dhe UNICEF-it”, ka thënë ai, duke shtuar se familja është regjistruar si e zhvendosur gjatë luftës.

Leave a Comment