Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve të dyshuar për përfshirje në shpëlarje parash, krim të organizuar dhe vepra të tjera penale.
Sipas aktvendimit të datës 3 korrik 2026, gjyqtari i procedurës paraprake Vesel Ismaili ka vendosur caktimin e paraburgimit pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale.
Në mesin e personave ndaj të cilëve është caktuar paraburgimi janë: Faruk Mazrek, Fariz Mazrek, Skender Kelmendi, Nisret Bajraktari, Dashnim Miftari, Adem Morina, Muhamet Mazrek, Naser Morina dhe Gazmend Quni.
Cili ishte roli i Gazmend Qunit?
Sipas dosjes së prokurorisë grupi dyshohet se udhëhiqej nga Faruk Mazrek dhe kishte zhvilluar një skemë të sofistikuar për kontrabandimin e derivateve të naftës.
Në aktakuzë thuhet se Gazemend Quni në bashkëpunim me Faruk Mazerk dhe Mahmut Mazerk kanë kryer modifikimin e mjetit transportues të derivateve të naftës.
Ata kanë ndërhyrë në pjesën e brendshme të autoboteve duke krijuar hapësirë që 90 për qind të mbushet me ujë natyral dhe pjesa tjetër me derivate të naftës.
“Ndërsa pjesa tjetër të mbushet me derivate të naftës, duke ndarë komorën/dhomën ku mbushen derivatet e naftës nga komoret/dhomat që mbushen me ujë natyral, e të cilat mjete transportuese përdoren nga grupi kriminal i organizuar për kontrabandimin e mallrave – derivateve të naftës, të cilat importohen në Kosovë për bizneset e tyre përmes portit “Porto Romano”, Durrës, por një pjesë e sasisë së derivateve të naftës paraprakisht shitet në mënyrë të kundërligjshme te bizneset në Shqipëri, e cila më pas mbushet me ujë natyral dhe vijën kufitare të Kosovës kamionët/autobotët e kalojnë duke e shmangur kontrollin doganor, pasi që dhoma ndarëse me naftë ka qenë e ndarë nga dhomat tjera të mbushura me ujë natyral, ndarje e cila punohet me dijeni dhe për qëllime kriminale nga i pandehuri Gazmend Quni“, thuhet në dosje.
Quni dhe të tjerët dyshohen për veprat penale të shpëlarjes së parave, pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, kontrabandimit të mallrave, shmangies nga tatimi, mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, si dhe falsifikimit të parasë, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ligjeve përkatëse.
Faruk Mazrek: “Truri” dhe organizatori i rrjetit
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, në krye të këtij grupi të organizuar kriminal qëndron Faruk Mazrek.
Dokumenti specifikon qartë rolin e tij udhëheqës: “Në krye të të cilit ka qëndruar i pandehuri Faruk Mazrek, i cili i ka organizuar dhe drejtuar veprimet e këtij grupi.”
Mazrek, së bashku me djalin e tij, Fariz Mazrekun, dyshohet se kanë përdorur biznesin e tyre të naftës “Po Petrol Fariz”, me seli në Mamushë, si mbulesë dhe pikë fundore për të futur në sistemin legal paratë e pista të fituara nga aktivitetet kriminale (ku përmendet edhe dyshimi për trafikim me narkotikë nga i kaluari i Faruk Mazrekut dhe fshehja e burimit të pasurisë përmes një emri të mëparshëm, Faik Mazreku).
Hetimet fillestare tregojnë se vetëm deri në fund të vitit 2022, përmes llogarive të tyre në bankat “Credins” dhe “Banka Kombëtare Tregtare (BKT)” në Prizren, ata kanë marrë kredi në vlerë prej rreth 930 mijë eurosh, me qëllim të fshehjes së origjinës së vërtetë të parave të nxjerra nga aktiviteti kriminal.
Skema e manipulimit: Si fshihej nafta me ujë?
Mekanizmi i kontrabandës, i cili sipas Prokurorisë ka funksionuar në vazhdimësi që nga korriku i vitit 2021, ka qenë tejet i sofistikuar dhe ka përfshirë bashkëpunimin e ngushtë me pronarët e biznesit “Standard Petrol sh.p.k.” në Durrës, të identifikuar në dosje si K.V. dhe F.V.
Nafta nisej nga Porti i Porto Romanos në Durrës. Për t’iu shmangur Doganës së Kosovës, cisternat i nënshtroheshin modifikimeve të rënda post-fabrikor.
Prokuroria ka zbuluar se brenda cisternave ndërtoheshin dhoma sekrete. Pjesa e brendshme e cisternave modifikohej përmes një portëze të hapur në mënyrë të fshehtë, duke krijuar hapësira ku rreth 90 për qind e vëllimit të cisternës mbushej me ujë natyral, ndërsa pjesa tjetër (komora e ndarë) mbushej me derivate të naftës.
Kur cisternat kalonin pikën kufitare të Kosovës, autobotet kalonin duke shmangur kontrollin e mirëfilltë doganor, pasi dhoma ndarëse e dukshme ose pjesa e jashtme testuese përmbante ujë natyral. Pasi kalohej kufiri, cisternat dërgoheshin në bizneset e tyre në Kosovë, ku bëhej zbrazja, ndarja e ujit nga nafta dhe më pas nafta e kontrabanduar hidhej në treg.
Për të mbyllur letrat dhe dokumentacionin, cisternat në Shqipëri ngarkoheshin fiktivisht në mjete transportuese sikur po lëviznin vetëm 20 për qind të sasisë së naftës drejt Kosovës, ndërsa sasia e mbetur e naftës së pastër u shitej në mënyrë të kundërligjshme bizneseve të tjera brenda Shqipërisë, duke krijuar një zinxhir mashtrimi me fatura të rreme