Detaje të reja nga vrasja në Ferizaj: Viktima 32-vjeçar, dy persona ndalohen për 48 orë

Policia e Kosovës ka publikuar detaje të reja lidhur me vrasjen që ndodhi të dielën mbrëma në një banesë në Ferizaj, ku një 32-vjeçar humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rreth orës 22:50 është pranuar një informacion se një person ishte gjetur pa shenja jete në një banesë, në katin e nëntë të një objekti banesor në rrugën “Sejdi Sejdiu”.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, hetuesit rajonalë, krim-teknikët, si dhe prokurori për Krime të Rënda.

Viktima është identifikuar me inicialet F.H., 32 vjeç, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij në vendin e ngjarjes.

“Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është konstatuar një plagë që dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe një gëzhojë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas hetimeve fillestare, ngjarja ka ndodhur në banesën e M.B. (48 vjeç), ku në momentin e incidentit ndodheshin edhe bashkëshortja e tij dhe vajza, A.R. (24 vjeçe).

Policia bën të ditur se 24-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ekziston dyshimi i bazuar se rasti ndërlidhet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë’”, thuhet më tej në njoftim.

Me vendim të prokurorit, M.B. është ndaluar për 48 orë. Po ashtu, edhe ndaj A.R. është lëshuar vendim për ndalim prej 48 orësh, megjithatë ajo vazhdon të marrë trajtim mjekësor në QKUK.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa Sektori i Hetimeve Rajonale, në koordinim me Prokurorinë, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Leave a Comment