Profil | Me afro 40 raste kriminale, kjo është biografia kriminele e Egzon Reshanit që po fshihet në Serbi

I dyshuari për veprat penale “tentim vrasje” dhe “fajde”, Egzon Reshani, i cili ndodhet në arrati, ka publikuar një video kërcënuese ndaj Policisë së Kosovës përmes rrjetit social TikTok.

Ai ishte paraqitur nga arratia duke u shprehur “ose keni me m’vra ose kam me ju vra”.

“Pasha Allahun…Njësive Speciale në përgjithësi lypin me ia q* gratë në p*, i kanë kap njerëzit veç pse falen, i kanë ngeh zhag. Policëve kam me ia q* robt, Policisë se Kosovës, iu boj thirrje kushdo koftë mos (nuk kuptohet) se kam me ia q* familjen. Ose keni me m’vra ose kam me ju vra. Qekaq” “Gratë kam me ua q* , kush t’me afrohet, me mu hajgare s’ka, kush ka plagos u dorëzu njeri sen s’kom bo…”, është shprehur Reshani.

Tutje, ai ka thënë se nuk do t’i dorëzohet Policisë, dhe për këtë do të përdorë edhe armën.

Ndaj të njëjtit gjykata ka lëshuar urdhëresë për paraqitje në seancë gjyqësore më 23 janar 2026, lidhur me kryerjen e veprës penale “tentim vrasje”.

Insajderi merr vesh se Egzon Reshani po fshihet në Serbi, ndërsa ndaj tij ekziston një dosje e gjatë penale në sistemin e drejtësisë.

Afro 40 raste penale ndër vite

Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e tij, ku rezulton se Egzon Reshani është i dyshuar në rreth 40 raste kriminale që nga viti 2009 e deri në vitin 2026.

Rasti i parë ndaj tij lidhet me lëndim të lehtë trupor, ndërsa po në të njëjtin vit dyshohet se është përfshirë sërish në një vepër të ngjashme. Në vitin 2010 ai figuron në tri raste, përfshirë posedim të armëve dhe lëndim trupor.

Në vitin 2011 është i dyshuar për pesë vepra penale, ndërsa në vitin 2012 për dy raste dhe në vitin 2013 për një rast.

Pas një periudhe më të qetë, në vitin 2017 ai rikthehet sërish në dosje me tri raste për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtje të armëve.

Në vitin 2018 figuron në gjashtë vepra penale, përfshirë sulm, kanosje, lëndim dhe përdorim të armës.

Në vitin 2019 është i përfshirë në tri raste, ndërsa në vitin 2021 në dy raste të tjera.

Në vitet 2022 dhe 2023 dyshohet për përsëritje të veprave si sulm, mbajtje armësh dhe përdorim i mjeteve të rrezikshme.

Në vitin 2025, dosjes së tij i shtohen edhe veprat penale “detyrim” dhe “fajde”, ndërsa në vitin 2026 përmendet një rast i tentim vrasjes dhe më pas një rast i ri për kanosje.

Në videon e publikuar në rrjete sociale, Reshani dyshohet se ka kërcënuar edhe kryeprokurorin e Prizrenit, Petrit Kryeziu, si dhe zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prizrenit.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka dënuar ashpër kërcënimet ndaj kryeprokurorit Kryeziu, duke i cilësuar ato si sulm ndaj institucioneve të drejtësisë. Ndërkohë, autoritetet pritet të ndërmarrin veprimet e nevojshme institucionale ndaj të dyshuarit.

Leave a Comment