“Në spitale mungojnë barnat për kancer”, “Me pare tona po blen vota” – Albin Kurti bëhet horë për 2 milionë eurot e mërgatës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është përballur me kritika të shumta në rrjetet sociale pas vendimit të Qeverisë për ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e linjave ajrore për mërgatën.

Kurti përmes një postimi në Facebook tha se subvencionimi i linjave ajrore bëhet për të parandaluar anulimin e fluturimeve gjatë sezonit veror, duke theksuar se kjo masë është në funksion të mërgatës dhe ekonomisë së vendit.

“Vendimi i djeshëm për të ndarë 2 milionë euro ka për qëllim subvencionimin e linjave ajrore që lidhin Aeroportin ‘Adem Jashari’ me aeroportet prej nga vijnë mërgata jonë”, ka shkruar ai.

Megjithatë, në komentet e postimit kanë shpërthyer reagime të ashpra nga qytetarët, të cilët kanë akuzuar Qeverinë se po neglizhon problemet reale me të cilat përballen qytetarët në Kosovë.

Një koment që mori qindra pëlqime ishte ai i qytetarit Jakup Morina, i cili kritikoi gjendjen në sektorin e shëndetësisë dhe infrastrukturës.

“Në spitale mungojnë barnat elementare për kancer. Shko te reparti i Onkologjisë. Gjithashtu mungojnë vitaminat elementare për operim në shtatzëni… Po vdesin njerëzit. Investo ku duhet e ku zhvillohet shteti”, shkroi ai.

Komentues të tjerë e akuzuan Kurtin edhe për tentim të “blerjes së votave” me paratë publike, duke e lidhur vendimin për subvencionimin e fluturimeve me diasporën para proceseve zgjedhore.

Nga ana tjetër, Kurti mohoi pretendimet e opozitës, duke deklaruar se “nuk bëhet fjalë për blerje biletash apo ardhje të organizuar për zgjedhje”, por për një skemë mbështetëse që, sipas tij, përdoret edhe nga shtetet e rajonit.

Leave a Comment