Një 27-vjeçar ka pësuar lëndime trupore si pasojë e rënies nga pullazi i një objekti në Babush të Ferizajt. Ai u dërgua për trajtim në Emergjencën e Ferizajt e më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se rasti ka ndodhur pasditen e së mërkurës.
“Më 20.05.2026, rreth orës 15:40 kemi pranuar informatën se në magjistralen Ferizaj -Prishtinë në fshatin Babush, te një objekt, një person kishte rënë nga kulmi (pullazi) dhe kishte pësuar lëndime trupore. Menjëherë në vendin e ngjarjes është angazhuar një patrullë policore, e cila ka siguruar lokacionin, ndërsa personi i lënduar ishte transportuar fillimisht në Emergjencën e Ferizajt, e më pas, për shkak të lëndimeve të rënda trupore, i lënduari, një mashkull 27 vjeçar është dërguar për trajtim të mëtejmë në QKUK në Prishtinë”, tha Veseli.
Lidhur me rastin, Veseli shtoi se janë njoftuar hetuesit e stacionit policor, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, për ekzaminim të rrethanave të incidentit, si dhe inspektorët e punës.
“Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe rasti është cilësuar “Asgjësimi, dëmtimibose jeqja e paisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, tha ai.